Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka deklaruar se agjencia është e gatshme të përcaktojë “hapa konkretë” për adresimin e programit bërthamor të Iranit, në kuadër të marrëveshjes së re mes SHBA-së dhe Teheranit.
Sipas marrëveshjes aktuale, Irani është zotuar sërish se nuk do të zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore, ndërsa palët kanë rënë dakord edhe për menaxhimin e uraniumit të pasuruar që Teherani tashmë e posedon.
Në një deklarim për media, Grossi tha se nuk është e mençur të spekulohet për pengesa teknike të mundshme në proces.
“Unë i filloj negociatat duke supozuar mirëbesim nga të gjitha palët dhe dëshirë për sukses. Nëse e kanë nënshkruar këtë, do të thotë se të gjithë duan që marrëveshja të funksionojë,” u shpreh ai.
Grossi shtoi se agjencia ka një “ide mjaft të qartë” për objektet dhe vendet që do të duhet të inspektohen, por theksoi se është ende herët për të hyrë në detaje.
“Jemi në prag të fazës vendimtare të bisedimeve teknike,” tha ai.