Diplomati i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, Mentor Tahiri, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Sllovakisë në Osijek, e organizuar me ftesë të Ambasadës së Sllovakisë.
Me këtë rast, Tahiri u prit nga Konsullja e Nderit e Republikës së Sllovakisë në Osijek, Sandra Kralj Vukšić, e cila, sipas njoftimit, “shprehu kënaqësinë për praninë e përfaqësuesve diplomatikë dhe institucionalë në këtë ngjarje të rëndësishme”.
Ceremonia mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete lokale e rajonale, si dhe personalitete të jetës publike dhe ekonomike, duke vënë në pah rëndësinë e zgjerimit të rrjetit konsullor në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Hapja e Konsullatës së Nderit të Republikës së Sllovakisë në Osijek përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Kroacisë, si dhe në promovimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe institucional në rajonin e Slavonisë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se kjo nismë “kontribuon në forcimin e pranisë diplomatike dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, komuniteteve të biznesit dhe qytetarëve të të dy vendeve”.
Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës në këtë ngjarje vjen në një kohë kur Sllovakia vazhdon të jetë një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.
Megjithatë, në njoftim vlerësohet se pjesëmarrja e diplomatit kosovar në këtë ceremoni është “dëshmi e marrëdhënieve të mira me partnerët diplomatikë në Kroaci dhe e përkushtimit për të mbështetur nismat që kontribuojnë në dialogun, bashkëpunimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon”.