Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj gjatë konferencës në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt: Së bashku për njohje dhe mbështetje, ka thënë se në Kosovën e pasluftës, shumë gjëra u numëruan përfshirë shtëpitë e djegura, masakrat, njerëzit e vrarë, të pagjeturit e çdo plagë tjetër por ajo që kishte mbetur brenda njeriut, duke iu referuar dhunës seksuale gjatë luftës, mbeti gjatë në heshtje.
Ajo ka thënë se as misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë për këtë qëllim, asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i kreu.
Haxhiu iu bëri thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë që të mos e ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës.
“Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje. U bë strehë për një dhimbje që njeriu e mban me vete, edhe kur mbaron lufta. Për këtë krim, fjala erdhi vonë ngase rrethohej me shumë frikë, shumë turp dhe shumë gjykim. Për këtë arsye, sot duhet të flasim me shumë kujdes. Rrëfimi u takon personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për ta thënë qartë se Republika e Kosovës, Republika jonë, u ka borxh njohje, drejtësi dhe kujdes shtetëror”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu është shprehur se shteti nuk mund ta zhbëjë atë që ka ndodhur por është i pranishëm në mekanizma, me njerëz e institucione që e bëjnë më të lehtë rrugën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Ndëshkimi i kriminelëve, përveç tjerash dërgon edhe mesazh të qartë se shkeljet e rënda të drejtave të njeriut nuk do të mbeten pa ndëshkim. Prandaj edhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ndalet puna dhe angazhimi. Por, edhe me rastin e aktgjykimeve dënuese për krimet e luftës shtohet edhe besimi në institucione dhe njihet vuajtja e personave të dhunuar gjatë luftës”, ka deklaruar Haxhiu.