Një person ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, ku një mashkull kosovar është sulmuar me mjet të mprehtë nga disa persona dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Policia ka bërë të ditur se, bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, viktima dyshohet se është therur nga një person i njohur për organet e rendit, i cili ka vepruar së bashku me disa të dyshuar të tjerë.
Njësitet policore janë angazhuar në rast dhe po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë, ndërsa një njësi policore po qëndron në sigurim të viktimës në QKUK.
Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë” dhe po hetohet nga organet kompetente.