Fshati Hajkobillë të shtunën ishte i populluar si rrallëherë më parë.
Pikërisht në këtë vend, kompania “Speeex”, me rastin e 10 vjetorit të themelimit e organizoi festivalin “Hajkofest 2026”, në të cilin mblodhi punonjës, ish-punonjës, partnerë, klientë dhe mysafirë të kompanisë për të festuar këtë moment të rëndësishëm.
Partnerët e kompanisë që janë me mijëra, me vete i kishin marrë edhe nga dy persona të afërt, bashkë me të cilët shpejtë zunë vendet e tyre në hapësirën e krijuar posaçërisht për festën përmes së cilës, “Speeex”, i falënderon për kontributin në ndërtimin e kompanisë gjatë këtyre dhjetë viteve.
“Është një vit jubilar për neve, sepse kjo përkthehet me investimin e madh që e ka bërë kompania, sepse ne mendojmë që kontributi që e japin kolegët tanë për me ardhë ‘Speeex’ këtu ku është, është përmes këtij dëfrimi të madh, dhe artistët që kanë me performu”, ka thënë Orgesa Arifi nga “Speeex”.
Këtu atmosfera filloi me muzike nga DJ-të më të njohur në vend, duke u pasuar me ngjarje të rëndësishme siç është ndarja e 10 çmimeve për kolegët më të dalluar të vitit të fundit. Krejt kjo, me qëllim të falënderimit dhe motivimit për punën në vazhdim.
Edhe pas ndarjes së çmimeve, kur Hajkobillën e ndriçonin veç dritat e “Hajkofest” vëmendja e pjesëmarrësve mbeti sërish tek skena.
Para tyre, në kulmin e festës, përformuan disa këngëtarë: Fillimsht NRG Band, pastaj Yll Limani, Dhurata Dora, e në fund edhe Noizy.
Puna e kompanisë “Speeex” dhe festivali “Hajkofest”, pati edhe vemëndjen institucionale.
Aty shkoi edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili pati edhe disa fjalë.
“’Speeex’ është një shembull i shqiptarëve, që shkojnë punojnë në Evropën Perëndimore, fillimisht si punëtorë, pastaj udhëheqës e deri te blerja e kompanisë. Pastaj, kthehen investojnë në Kosovë, duke i angazhuar hiç më pak se 2000 punëtorë”, ka thënë Kurti.
E jashtëzakonshme ishte edhe mbyllja e festës. Për hiç më pak se 7 minuta, përreth “Hajkofesti”, U ndezën fishekzjarret, për ta shënuar dekadën e suksesshme, dhe vendosjen e themelit për shumë vite të tjera pune.