Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është raportuar një rast i zjarrvënies në një objekt banesor në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 27 qershor 2026, rreth orës 07:26. Pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse, të cilat kanë evakuuar banorët për të shmangur rrezikun nga zjarri.
Njësia e zjarrfikësve ka arritur ta shuajë zjarrin, ndërsa si pasojë e incidentit lëndime trupore kanë pësuar tre banorë të objektit dhe katër zjarrfikës.
Të gjithë të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka njoftuar se rasti është iniciuar si “Zjarrvënie” dhe hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
