Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka ngritur dyshime për ekzistencën e një varri masiv në zonën ushtarake Pasuljanske Livade në Serbi.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kandiq ka thënë se kjo çështje ishte pjesë e një takimi që ajo kishte zhvilluar në vitin 2008 me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac.
Sipas saj, ajo e kishte informuar ministrin se kishte biseduar me një person që pretendonte se kishte qenë shofer i një kamioni frigoriferik, me të cilin trupat e viktimave nga Kosova ishin transportuar drejt bazës ushtarake “Pasuljanske Livade”.
“Varri masiv i mundshëm në Pasuljanske Livade ishte temë e takimit tim me ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Shutanovac, në vitin 2008. E njoftova se kisha biseduar me një person që pretendonte se kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik me të cilin trupat ishin transportuar nga Kosova në bazën ushtarake Pasuljanske Livade”, ka shkruar Kandiq.
Kandiq ka shtuar se ky person kishte kërkuar para në këmbim të informacionit shtesë, por më pas nuk ishte paraqitur më.
Ajo thekson gjithashtu se menjëherë pas këtij takimi e kishte njoftuar Shutanovacin për këto pretendime, por sipas saj, asnjë përgjigje nuk kishte pasuar.
Moguća masovna grobnica na Pasuljanskim livadama bila je tema mog sastanka sa ministrom odbrane Srbije Draganom Šutanovcem 2008. Obavestila sam ga da sam ragovarala sa osobom koja je tvrdila da je bio vozač hladnjače kojom je s Kosova tela prebacio u vojnu bazu Pasuljanske…
— Natasa Kandic (@natasakandic) June 28, 2026