Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë gjetur trupin e pajetë të personit që ishte raportuar i zhdukur në Liqenin e Batllavës, pas dy ditësh kërkimesh intensive në terren dhe në ujë.
Siç bën të ditur FSK-ja, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe strukturat komunale të Podujevës, të cilat kanë asistuar gjatë gjithë fazës së kërkimit, njofton Dukagjini.
Sipas autoriteteve, kërkimet janë zhvilluar në kushte të vështira, ndërsa ekipet e specializuara të FSK-së kanë përdorur mjete dhe teknika të kërkim-shpëtimit për lokalizimin e trupit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, për Dukagjinin tha se janë duke ndërmarrë veprimet hetimore lidhur me rastin.
”Dje rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Kurse sot pas përpjekjeve nga ekipi i kërkimit dhe shpëtimit, personi është arritur të nxirret nga uji. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore lidhur me rastin” tha Pllana.