Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmend Tahirhovci në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, duke e dënuar ashpër aktin dhe duke kërkuar që autorët të përballen me drejtësinë.
BIK, nëpërmjet një reagimi, bëri të ditur se ka pranuar me dhimbje dhe shqetësim lajmin për vrasjen e imamit, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën tjetrit, pavarësisht motiveve apo rrethanave të rastit, njofton Dukagjini.
“Jeta e njeriut është dhuratë e Zotit të Madhëruar dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda, të dënuara si nga feja, ashtu edhe nga ligji”, thuhet në reagim.
Bashkësia Islame e Kosovës, mes tjerash, u bëri thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe që autori të marrë dënimin e merituar në përputhje me ligjin.