Prokuroria federale gjermane ka njoftuar të enjten se një shtetas ukrainas i lidhur me shpërthimet në gazsjellësit Nord Stream është akuzuar për bashkëpunim në një krim lufte, sabotim të shërbimeve publike, shkaktim të shpërthimit dhe shkatërrim të infrastrukturës.
I dyshuari, i identifikuar si “Serhii K” sipas rregullave gjermane për mbrojtjen e privatësisë, dyshohet se ka vepruar në emër të strukturave të shtetit ukrainas, së bashku me pjesëtarë të tjerë ushtarakë, për të shkatërruar tubacionet në vitin 2022. Sipas prokurorëve, qëllimi ishte ndalimi i përhershëm i furnizimit me gaz përmes Nord Stream dhe pengimi i Rusisë që të përdorte të ardhurat nga shitja e gazit për financimin e luftës në Ukrainë.
Hetimet pretendojnë se ai, si drejtues i një ekipi zhytësish profesionistë dhe një eksperti për eksplozivë, ka hyrë në Gjermani me pasaportë të falsifikuar ukrainase në shtator 2022 dhe më pas ka hipur në një jaht të marrë me dokumente të falsifikuara.
Prokuroria thotë se grupi ka transportuar sasi të mëdha eksplozivësh të fuqishëm ushtarak në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit danez Bornholm, ku dyshohet se janë vendosur në tubacionet nën det.
Serhii K u arrestua në Itali në gusht të vitit të kaluar dhe u ekstradua në Gjermani në nëntor. Ai i ka mohuar akuzat, raporton Reuters.
Gjykatat gjermane e kanë trajtuar rastin nën juridiksionin e tyre pasi tubacionet e dëmtuara përfundojnë në Lubmin, në landin Mecklenburg-Vorpommern, dhe dëmtimi i tyre ka ndikuar në sigurinë energjetike dhe furnizimin e brendshëm të Gjermanisë.