E përditshmja zvicerane Tages-Anzeiger ka publikuar një analizë kritike për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, duke vlerësuar se ai po ndërmerr lëvizje politike për të ruajtur kontrollin mbi pushtetin, pavarësisht funksionit që mban zyrtarisht.
Sipas Tages-Anzeiger, Vuçiq po premton qindra miliona euro për kategori të ndryshme të qytetarëve në prag të zgjedhjeve, ndërsa njëkohësisht po përgatit një skenar politik që do t’i mundësonte të vazhdonte të qeveriste edhe pasi të largohej nga posti i presidentit.
Mediumi zviceran shkruan se Vuçiq ka premtuar pagesa të njëhershme për pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale dhe, siç i përshkruan gazeta, “të ashtuquajturit veteranë të luftës që shkaktuan shumë të këqija për kombet e tjera gjatë luftërave gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”.
Në analizën e saj, Tages-Anzeiger thekson se vlera e këtyre premtimeve arrin në rreth 600 milionë euro. Ndërsa opozita serbe i konsideron këto masa si përpjekje për blerjen e votave, Vuçiq pretendon se ato burojnë nga kujdesi për mirëqenien e qytetarëve.
Mediumi zviceran ndalet veçanërisht te njoftimi i paqartë i Vuçiqit se mund të largohet nga posti i presidentit, duke vlerësuar se ky nuk do të ishte fundi i dominimit të tij politik. Përkundrazi, sipas gazetës, “pushteti gjithmonë lëviz aty ku është ulur Vuçiq”, pasi ai synon të largohet nga presidenca për të marrë postin e kryeministrit.
Sipas Tages-Anzeiger, për shkak të kontrollit pothuajse të plotë mbi skenën politike serbe, ndryshimi i funksionit nuk do të nënkuptonte ndryshim të qendrës së vendimmarrjes. Tutje gazeta rikujton se një situatë e ngjashme është parë edhe në periudhën 2014–2017, kur Vuçiq, i cilësuar si “një ish-ultranacionalist me aftësinë e një kameleoni politik”, drejtonte qeverinë.
Analiza shton se, nëse Partia Përparimtare Serbe fiton zgjedhjet dhe Vuçiq kalon në postin e kryeministrit, president do të zgjidhej një figurë besnike që do të ushtronte vetëm kompetenca ceremoniale.
Në përfundim, Tages-Anzeiger e krahason këtë skenar me modelin e ndjekur nga presidenti rus Vladimir Putin, duke shkruar: “Manovra të kujton rrotullimin e Vladimir Putinit kur ai instaloi Dmitry Medvedev si president në vitin 2008, mbajti të gjitha fijet në duar dhe më pas u kthye përsëri në Kremlin në vitin 2012.”