Vapa ekstreme prish festimet e 4 Korrikut në SHBA, anulohen parada dhe aktivitete

Temperaturat ekstreme kanë prishur festimet e Ditës së Pavarësisë në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke çuar në anulimin e një sërë aktivitetesh, përfshirë një paradë në Uashington DC.

Panairi “Great American State Fair”, i organizuar në kryeqytetin amerikan në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, u mbyll përkohësisht pasi disa persona u trajtuan për probleme shëndetësore të shkaktuara nga nxehtësia.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA, më shumë se 165 milionë njerëz në Bregun Lindor dhe rajonin e Midwest-it po përballen me temperatura rekord.

Vala e të nxehtit po ndikon në fundjavën festive, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë pjesë në ceremonitë për 250-vjetorin e pavarësisë së vendit. Në të njëjtën kohë, edhe disa ndeshje të Kupës së Botës po zhvillohen në ambiente të hapura nën temperatura shumë të larta.

Dita e 4 Korrikut zakonisht shënohet me aktivitete në natyrë, si barbeque, parada komunitare dhe fishekzjarrë. Megjithatë, këtë vit shumë prej këtyre aktiviteteve janë anuluar për shkak të vapës së rrezikshme, në shtete si New Jersey, Pennsylvania, Maryland dhe deri në Colorado.

Ndër aktivitetet e anuluara ishte edhe Parada “Salute to Independence Semiquincentennial” në Filadelfia, e konsideruar si një nga ngjarjet më të mëdha të festimeve në mbarë SHBA-në.

“Edhe pse ky vendim na dhemb të gjithëve, nuk mund të organizojmë një aktivitet të këtyre përmasave në kushte kaq të rrezikshme të motit”, deklaroi Michael DelBene, drejtor ekzekutiv i organizatorit “Wawa Welcome America”, për BBC.

Edhe në Uashington u anulua ceremonia e paradites për Ditën e Pavarësisë, pasi organizatorët thanë se siguria e pjesëmarrësve, spektatorëve dhe stafit ishte prioriteti kryesor.

Nxehtësia ekstreme detyroi gjithashtu mbylljen për disa orë të panairit në National Mall, një ditë para festës. Aktiviteti u rihap në orën 17:00 sipas kohës lokale, pasi kushtet atmosferike u përmirësuan.

Departamenti i Zjarrfikësve dhe Emergjencave në Uashington konfirmoi se disa persona u trajtuan për probleme të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa të paktën 11 persona u transportuan me autoambulancë nga panairi. Autoritetet nuk saktësuan nëse të gjitha rastet lidhen drejtpërdrejt me vapën.

“Do të jetë një fundjavë shumë e ngarkuar. Presim raste të shumta të problemeve të shkaktuara nga nxehtësia dhe u bëjmë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të marrin masa mbrojtëse nëse qëndrojnë jashtë”, thanë autoritetet lokale.

Ndërkohë, edhe koncerti tradicional “A Capitol Fourth” u ndikua nga kushtet atmosferike, pasi hyrja e publikut u shty për katër orë.

Pavarësisht temperaturave të larta të parashikuara, presidenti Donald Trump pritet të mbajë fjalimin e tij në ambient të hapur gjatë festimeve të së shtunës.

“Do të mbaj një fjalim shumë të gjatë vetëm për të treguar se mund të bëj gjithçka”, u shpreh ai.

Të fundit nga rubrika