Donald Trump ka bërë të ditur se i ka kërkuar FIFA të rishqyrtojë vendimin për pezullimin e sulmuesit të përfaqësueses amerikane, Folarin Balogun, duke e cilësuar mungesën e tij në Kupën e Botës si një humbje të madhe për turneun.
Balogun, golashënuesi kryesor i Shteteve të Bashkuara në këtë edicion të Kupës së Botës, fillimisht ishte dënuar me një pezullim automatik prej një ndeshjeje, çka do ta linte jashtë përballjes së raundit të 16-tave ndaj Belgjikës në Seattle.
Megjithatë, FIFA vendosi të hënën në mbrëmje të pezullojë zbatimin e këtij dënimi për 12 muaj, duke i hapur rrugë sulmuesit 25-vjeçar të jetë në dispozicion të kombëtares amerikane për ndeshjen e rëndësishme.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se nuk kishte kërkuar anulimin e dënimit, por vetëm një rishikim të rastit, pasi sipas tij incidenti nuk përbënte faull.
“Nuk mendova se ishte një faull. Pashë dy atletë të shkëlqyer që u përplasën dhe u ngatërruan me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Trump konfirmoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, por theksoi se nuk kishte ushtruar presion ndaj organizatës.
“Gjithçka që bëra ishte të kërkoja që çështja të rishqyrtohej. Nuk mund t’i them FIFA-s se çfarë vendimi duhet të marrë. Besoj se komisioni mori vendimin e duhur”, deklaroi presidenti amerikan.
Sipas Trump, një mungesë e Balogunit në këtë fazë të garës do të kishte lënë një “njollë të madhe” mbi Kupën e Botës, duke pasur parasysh rëndësinë e tij për ekipin kombëtar të SHBA-së.