Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani po kërkon të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, pas sulmeve të fundit amerikane ndaj objektivave iraniane.
Duke folur në bordin e avionit presidencial Air Force One, pas kthimit nga samiti i NATO-s në Ankara, Trump tha se SHBA-ja “e ka goditur Iranin shumë fort”.
“Ne sapo i goditëm shumë fort. Ushtarakisht kemi fituar tashmë, atyre u ka mbetur shumë pak”, u shpreh presidenti amerikan, raporton BBC.
Trump shtoi se Teherani e ka kontaktuar së fundmi për të kërkuar një marrëveshje.
“Irani telefonoi pak më parë. Ata duan me ngulm të bëjnë një marrëveshje”, tha ai.
Megjithatë, presidenti amerikan shprehu dyshime nëse Irani do ta respektojë një marrëveshje të mundshme.
“Nuk e di nëse janë të denjë për të bërë një marrëveshje. Nuk e di nëse do ta respektojnë atë”, deklaroi Trump.
Deklaratat e tij vijnë vetëm një ditë pasi ai kishte thënë se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit kishte marrë fund dhe se bisedimet ishin “humbje kohe”.