Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndërhyrë menjëherë pas konstatimit të rrezikut serioz në një vendpunishte në ndërtim në rrugën “Elez Berisha” në Fushë Kosovë, përballë objektit të AAB-së.
Sipas IQP-së, pas marrjes së informatave për gjendjen në këtë kantier, inspektorët kanë kryer kontroll në objektin në ndërtim, ku kanë evidentuar disa parregullsi që rrezikonin sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Gjatë inspektimit është konstatuar mungesa e mbyllësve anësorë mbrojtës të skelave, mungesa e fiksimit (ankorimit) të tyre, si dhe hapësira të tjera të hapura në objekt, të cilat paraqisnin rrezik të drejtpërdrejtë për punëtorët dhe qytetarët përreth.
“Me qëllim të parandalimit të rrezikut dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit të punëtorëve, është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe vendosjen e shiritit zyrtar të ndalimit në vendpunishte”, ka bërë të ditur Inspektorati Qendror i Punës.
IQP ka theksuar se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat për siguri dhe shëndet në punë.