Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar që institucionet e reja të vendit ta trajtojnë me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG).
Oda Amerikane ka bërë thirrje që pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja, politika energjetike e Kosovës të bazohet në analiza profesionale dhe në interesat afatgjata të vendit.
Sipas Odës, qasja në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane duhet të vlerësohet si një mundësi strategjike për rritjen e sigurisë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e konkurrueshmërisë së Kosovës.
Oda vlerëson se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sektorit energjetik, pasi vendimet që do të merren në vitet e ardhshme do të ndikojnë në prodhimin e energjisë, sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin ekonomik.
“Për Kosovën, e cila vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara gjeneruese dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese është një faktor me rëndësi strategjike. Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas saj, diskutimi për të ardhmen energjetike nuk duhet të fokusohet vetëm në kostot fillestare të investimeve, por edhe në kohën e realizimit të projekteve, mundësinë e financimit, sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Kosova aktualisht vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara të prodhimit të energjisë elektrike dhe në importe, ndërsa Oda thekson se ndërtimi i kapaciteteve të reja është një çështje me rëndësi strategjike për vendin.