Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se gjatë tri ditëve të fundit, 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi, ndërsa 22 prej tyre janë shtruar për trajtim spitalor.
Sipas njoftimit të Klinikës Infektive, pacientët janë paraqitur me ankesa për temperaturë, ethe, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Mjekët kanë konstatuar se simptomat në shumicën e rasteve janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse.
Klinika Infektive ka njoftuar se pacientët e shtruar janë nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore.