Autoritetet tajlandeze po hetojnë nëse neglizhenca ka qenë shkaku i zjarrit vdekjeprurës që shpërtheu të dielën vonë në një lokal në Bangkok, ku deri tani kanë humbur jetën të paktën 30 persona dhe mbi 70 të tjerë janë lënduar.
Sipas policisë, zjarri dyshohet se nisi pranë skenës dhe u përhap me shpejtësi, ndërsa përdorimi i materialeve shumë të ndezshme në dekor mund të ketë ndikuar në përmasat e tragjedisë.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një qark i shkurtër në një kondicioner, i cili ndërpreu energjinë elektrike në të gjithë lokalin.
Të mbijetuarit kanë deklaruar se disa dalje emergjente ishin të mbyllura dhe nuk kishte shenja të dukshme orientuese për evakuim.
Ekspertët e sigurisë nga Instituti i Inxhinierëve të Tajlandës thanë se dera pranë tualeteve ishte e kyçur, ndërsa dyert kryesore ishin pjesërisht të bllokuara nga mobiliet dhe sende të tjera, raporton BBC.
Shumë nga viktimat u gjetën në tualetet në pjesën e pasme të lokalit, ku besohet se u përpoqën të iknin nga flakët, por nuk arritën të dalin.
Deri të martën në mëngjes janë identifikuar 27 nga viktimat, ndërsa 24 prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike.
Banda indie tajlandeze Thotsakan, e cila po performonte në momentin kur shpërtheu zjarri, ka humbur dy anëtarë të saj në këtë tragjedi.