Një person ka humbur jetën në Prizren pasi dyshohet se ka rënë nga kulmi i një shtëpie, në një lartësi prej rreth tetë metrash.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 13 korrik në rrugën “Kalaja e Krujës”, ku dyshohet se viktima, një mashkull kosovar, ka rënë nga kulmi i objektit gjatë punës.
“Dyshohet se viktima mashkull kosovar kishte rënë nga një kulm i shtëpisë nga lartësia 8 metra, ku si pasojë viktima kishte vdekur”, thuhet në raportin e Policisë.
Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore për të kryer ekzaminimet.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Lidhur me rastin është arrestuar punëkryesi i vendit ku ka ndodhur ngjarja.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, punëkryesi ku ka ndodhur rasti. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.
Policia ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes/Heqje e pajisjeve mbrojtëse” dhe hetimet janë duke vazhduar.