Në orën 14:00, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pritej që të dorëzohej lista e gjatë e nënshkrimeve, përmes së cilave kërkohet proces zgjedhor i brendshëm, përmes së cilit pretendohet që të gjendet një kryetar tjetër, në vend të Lumri Abdixhikut.
Para se të arrinte ky termin, në seli shkoi Vjosa Osmani, derisa brenda tanimë ndodhej Abdixhiku.
Me kalimin e kohës, para LDK-së, u mblodhën edhe ekipet e mediave. Pikërisht prania e tyre, u bë shkak, siç kupton Dukagjini, që të mos ndodhë dorëzimi i nënshkrimeve.
Sidoqoftë, kur u konfirmua që në 14:00 nuk u dorëzuan, pesë minuta më vonë, doli të deklarohej, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Ferati.
“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës së sotme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grup serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar”, deklaroi Ferati.
Megjithatë, para se të ndodhë deponimi i letrës me firmat, Ferati anëtarëve ua bëri një thirrje.
“Mua më mbetet si Sekretar i LDK-së me bë thirrje për qetësi edhe delegatëve, në të njëjtën kohë edhe kryetarëve të degëve, kolegëve të mi që po e deklarojnë në publik situatën, me i ruajt mendimet e tyre politike për brenda organeve të LDK-së”, tha ai.
Kurdo që të dorëzohen, sipas Feratit, kryesia është e gatshme që t’i trajtojë.
Këtë qëndrim, e mbështeti edhe Vjosa Osmani, e cila nga selia doli pas tri orësh diskutimi.
“Është deklaruar sekretari i LDK-së, ju lus për mirëkuptim. Më dukët goxha shumë ju ka treguar edhe është deklaruar për krejt çështjet që janë me rëndësi, vetëm e mbështes atë deklaratë në tërësinë e saj. Për të gjitha çështjet e tjera, kur të vijë koha deklarohem”, u shpreh Osmani.
Televizioni Dukagjini merr vesh që deponimi i nënshkrimeve, është çështje kohe dhe se kjo pritet të bëhet larg syve të publikut dhe mediave.