Një shtetas amerikan i infektuar me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është dërguar në Gjermani për trajtim, njoftoi të hënën Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë, vetëm disa javë pasi një tjetër amerikan i infektuar me virusin ishte trajtuar në Berlin.
Ndërkohë, administrata e presidentit Donald Trump njoftoi se po ua ndalon qytetarëve amerikanë që ndodhen në Republikën Demokratike të Kongos të udhëtojnë drejt SHBA-së me fluturime komerciale, raportoi Reuters duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
Pacienti amerikan mbërriti gjatë natës në Frankfurt dhe u transferua në spitalin universitar të qytetit, sipas Ministrisë gjermane të Shëndetësisë, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se pacienti ishte një punonjës humanitar që kishte qenë në Bunia, kryeqyteti i provincës Ituri në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos.
Ituri është epiqendra e shpërthimit të Ebolës që autoritetet kongoleze e shpallën në mesin e muajit maj – shpërthimi i 17-të i kësaj sëmundjeje në vend.
OBSH-ja i kishte ofruar pacientit kujdes mjekësor dhe monitorim të vazhdueshëm.
“Pacienti është transferuar në mënyrë të sigurt në Gjermani për të vazhduar trajtimin dhe ndjekjen mjekësore”, shkroi Tedros në platformën X.
Një zyrtar i organizatës humanitare të krishterë Samaritan’s Purse konfirmoi për Reuters se pacienti, rreth të 60-ave, ishte punonjës me kohë të plotë i organizatës dhe punonte si menaxher magazinash në Republikën Demokratike të Kongos.
Shpërthimi aktual i Ebolës në këtë vend është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit, për të cilin aktualisht nuk ekziston vaksinë apo kurë.
Sipas OBSH-së, deri më tani janë konfirmuar më shumë se 1.900 raste dhe mbi 700 viktima.
Ministria gjermane e Shëndetësisë theksoi se pacienti amerikan nuk paraqet rrezik për popullatën e përgjithshme apo për pacientët e tjerë në spitalin e Frankfurtit.
“Rreziku që një person i infektuar me Ebola të hyjë në Gjermani është shumë i ulët”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet gjermane shtuan se SHBA-ja kishte kërkuar ndihmën e Gjermanisë për shkak të përvojës së saj në trajtimin e rasteve me Ebola, si dhe për shkak të kohës më të shkurtër të fluturimit nga Kongoja drejt Gjermanisë.
Një tjetër pacient amerikan me Ebola ishte vendosur në karantinë në fund të muajit maj, së bashku me familjen e tij, në spitalin Charité në Berlin.
Ai u shërua pas dy javësh trajtim.
Sipas Reuters, ndalimi i administratës Trump për udhëtimet e qytetarëve amerikanë nga Republika Demokratike e Kongos drejt SHBA-së me fluturime komerciale është vendosur në bazë të një dispozite ligjore të transportit të njohur si Title 49.
Kjo do të thotë se qytetarët amerikanë që ndodhen në Kongo ose që kanë dalë së fundmi prej saj do të futen në një listë ndalimi për fluturim (“do-not-board”), derisa të kenë kaluar të paktën 21 ditë në një shtet të tretë.
Rreth dy duzina amerikanësh pritej të udhëtonin drejt SHBA-së të martën, pasi kishin qenë në Republikën Demokratike të Kongos. Departamenti amerikan i Shtetit do t’u ofrojë mbështetje këtyre qytetarëve dhe të tjerëve të prekur gjatë periudhës së pritjes.
Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të njerëzve ose kafshëve të infektuara. Kjo sëmundje virale, shpesh fatale, shkakton simptoma si temperaturë të lartë, të vjella dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.