ryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova po shqyrton mundësinë për t’u furnizuar me gaz të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës.
Këto komente Kurti i bëri gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 megavatësh, në Kramovik të Rahovecit.
“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës.
Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë.
Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj.
Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se ankandi i radhës për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga era, me kapacitet deri në 100 megavat, ka hyrë në fazën e fundit të dorëzimit të ofertave.
Kurti tha se në këtë proces janë të parakualifikuar tre ofertues me përvojë dhe ekspertizë.
“Ankandi ynë i radhës deri në 100 megavat për energji nga era tashmë është në fazën e fundit për dorëzimin e ofertave. Kemi tre ofertues të parakualifikuar nga Franca, nga Gjermania dhe Kosova, si dhe nga Turqia, që të gjithë me përvojën dhe ekspertizën e duhur për sukses”, tha Kurti.
Ai tha se parku i erës në Zatriq, me kapacitet prej 70 megavatësh, është afër përfundimit, ndërsa njoftoi edhe për projektin e ri solar të KEK-ut.
“Nga këtu ku jemi, mund të shohim në horizont turbinat e parkut të erës në Zatriq me kapacitet 70 megavat, i cili është afër përfundimit. Ndërkohë, KEK-u me përkrahjen e Bankës Zhvillimore Gjermane, KfW, ka tenderuar parkun e tij solar me kapacitet së paku 100 megavat”, u shpreh Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke vlerësuar se ato po bëhen gjithnjë e më konkurruese dhe kontribuojnë në uljen e nevojës për import të energjisë.
“Burimet e ripërtëritshme të energjisë janë gjithnjë më të rëndësishme, pra, në peizazhin e energjisë sepse, përveç që janë të pastra, vitet e fundit teknologjitë janë bërë përherë e më konkurruese për nga kostoja. Ndërsa burimet e tilla si dielli dhe era janë burime të pashtershme që nuk kanë kosto dhe kontribuojnë në uljen e nevojës për import”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se Qeveria po investon edhe në sistemet e baterive, me mbështetjen e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përmes një granti prej 202 milionë dollarësh.
“Për integrimin dhe optimizimin e shfrytëzimit të këtyre burimeve, ne po investojmë në sistemet e baterive, me përkrahje të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, me grant prej 202 milionë dollarë. Jemi mirënjohës që administrata e Presidentit Trump vitin e kaluar ka vendosur të vazhdojë programin kompakt me Kosovën, vendim pas të cilit puna ka vazhduer intensivisht. Gjatë gushtit, presim ofertimin e kompanive të kualifikuara amerikane për ndërtimin e sistemeve të baterive me kapacitet 170 megavat për dy orë, gjithsej 340 megavat-orë, ndërtimi i të cilave fillon vitin e ardhshëm”, u shpreh ai.
Ai tha se, në kushtet e paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, siguria energjetike lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike dhe atë kombëtare.
“Në kohë të turbulencave gjeopolitike dhe të luhatjeve të mëdha të çmimeve në bursa ndërkombëtare, siguria energjetike është edhe siguri ekonomike, edhe siguri kombëtare. Prandaj, çdo megavat-orë i prodhuar nga burimet tona na e zvogëlon ekspozimin ndaj krizave të jashtme dhe na e shton mbështetjen për ekonominë e cila po rritet”, tha Kurti.
Kurse, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se parku Solar Fotovoltaik është gurthemeli i sektorit energjetik.
“Prandaj, ky projekt për ne është shumë më shumë sesa këtu 105 MW që po shtohen, që po kyçen në rrjet. Këto janë tejet të rëndësishme. Mirëpo shumë përtej kësaj, për ne ky është një gur themeli i sektorit energjetik që po e ndërtojmë, më i sigurt, më me shumë llojshmëri të burimeve, më i pastër, më konkurrues dhe i, atraktiv për investime e investitorë seriozë. Çfarë kemi arritur më shumë se gjithçka, më shumë se çmimi konkurrues, më shumë se megavatët që do të shtohen, është që kemi dëshmuar se Kosova mund të zhvillojë projekte të mëdha sipas standardeve ndërkombëtare, praktikave më të mira, të tërheqë kapital, teknologji e kompani serioze”, tha ajo.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se kjo e fundit ka qenë partner i përkushtuar në realizimin e këtij projekti.
“Komuna jonë, pra Komuna e Rahovecit, ka qenë partneri i përkushtuar në realizimin e këtij projekti. Investimi shtrihet në Guri të Kuq dhe Kramovik, ndërsa përmes Kuvendit të Komunës së Rahovecit kemi vënë në shfrytëzim një pronë komunale diku rreth 2 hektarë. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, është realizuar edhe bartja e gjithsej 112.56 hektarëve tokë për shfrytëzim, pra për nevojat e Ministrisë së Ekonomisë për ndërtimin ose vendosjen e paneleve diellore, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të projektit”, tha ai.
Kurse, kryetari i Bordit të “Lindja Solar LLC”, Avni Orllati, tha se për Kosovën është me rëndësi që të ketë energji të pastër.
“Është shumë me rëndësi për Kosovën, për ne që të ketë energji të pastër. Kanë me u bë dikund 1 milion e 200 metra katror panelet kanë me u qit këtu, jam shumë i kënaqur për këtë. E falemenderoj shumë qeverinë, ekipet krejt që kanë punuar, çka kanë dhënë, çka kanë bërë këtë mundësi sot, çka kanë bë këtë punë të mundshme sot”, tha ai./EO