Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë shkatërruar një kullë vëzhgimi të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në bregdetin juglindor të vendit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka bërë të ditur se sulmi është kryer një ditë më parë ndaj kullës së vëzhgimit në Portin Shahid Kalantari të Çabaharit.
Sipas ushtrisë amerikane, shkatërrimi i këtij objekti do të dobësojë aftësinë e IRGC-së për të monitoruar dhe shënjestruar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, si dhe për të kryer sulme ndaj ekuipazheve civile, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Sulmi mbron lirinë e lundrimit në ujërat rajonale për të gjitha anijet, përveç atyre që përpiqen të shkelin bllokadën detare amerikane në vazhdim ndaj Iranit”, ka deklaruar ushtria amerikane.
Ky operacion vjen në kohën kur Uashingtoni po përpiqet të kufizojë ndikimin dhe kontrollin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike mes Gjirit Persik dhe Detit të Omanit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me energji.