Konjufca i shkruan Kallas, kërkon dënim të ashpër të BE-së për deklaratën skandaloze të Paunoviqit

Gluak Konjufca

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i është drejtuar me një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik” të Kosovës.

Konjufca në letrën e tij ka kërkuar një reagim të qartë dhe të bazuar në parime nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se mbrojtja e vlerave evropiane kërkon kundërshtim të çdo retorike që glorifikon krimet e luftës ose nxit spastrimin etnik, njofton Dukagjini.

“Kërkojë nga BE të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson. T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi të kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i sheh incidente të tilla”, thuhet në letrën e bërë publike nga Konjufca në X.

Në letër, ai kritikon edhe reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke thënë se ai ishte i kufizuar dhe erdhi vetëm më shumë se 48 orë pas deklaratës, pasi çështja kishte marrë vëmendje të gjerë publike.

Konjufca vlerëson se distancimi i mëvonshëm i autoriteteve serbe ishte më shumë formal sesa shprehje e një pendese të sinqertë, ndërsa thekson se retorika e tillë nuk mund të trajtohet si një gafë, por si pjesë e një modeli revizionist që dëmton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca, mes tjerash, thotë se do të ishte mirënjohës po ta diskutonte këtë çështje me Kallas sa më parë, qoftë personalisht apo përmes telefonit.

Më poshtë e gjeni letrën e plotë të Konjufcës drejtuar Kallas.

E nderuara Shkëlqesi,

Po ju shkruaj për të shprehur dënimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj promovimit të hapur dhe të papranueshëm publik të spastrimit etnik nga znj. Snezana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Serbisë.

Më 11 korrik 2026, ministrja Paunoviq deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, ajo “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”. Kjo deklaratë përfaqëson një glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo është thelbësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me obligimet politike e juridike që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndonëse kemi marrë parasysh deklaratat e mëvonshme nga Beogradi, me të cilat Qeveria e Serbisë u distancua nga këto komente, ne i konsiderojmë ato më shumë si një formalitet sesa si shprehje të sinqertë dhe domethënëse pendese. Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e thjeshtë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.

Po ashtu, jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi kjo çështje ishte bërë temë e diskutimit në rajon dhe më gjerë. Një përgjigje më e qartë dhe më e fuqishme publike është e domosdoshme për të mbrojtur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftën kundër revizionizmit historik.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ne e refuzojmë spastrimin etnik dhe ndëshkimin kolektiv në të gjitha format e tyre.

Në dritën e sa më sipër, kërkoj me mirësi që Bashkimi Evropian:

1. Të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson;

2. T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

3. Ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi të kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i sheh incidente të tilla.

Do të isha mirënjohës për mundësinë që ta diskutojmë këtë çështje me ju sa më parë, qoftë personalisht apo përmes telefonit. Kosova mbetet një partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson se Bashkimi do të reagojë në mënyrë të qëndrueshme me vlerat dhe parimet që synon t’i mbrojë.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika