Më shumë se 100 shtëpi janë shkatërruar nga një zjarr i madh që shpërtheu të premten pranë qytetit Drammen, në jug të Norvegjisë, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët të favorizuara nga erërat e forta.
Sipas autoriteteve të shpëtimit, zjarri përfshiu një lagje me banesa të lidhura mes tyre, rreth 50 kilometra në perëndim të Oslos, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Re të dendura tymi të zi mbuluan zonën, por deri më tani nuk është raportuar për viktima apo persona të zhdukur.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan më shumë se 60 zjarrfikës, ndërsa helikopterë u përdorën për të hedhur ujë mbi vatrat e zjarrit nga ajri.
Policia evakuoi qindra banorë, pasi flakët vazhduan të përhapen edhe në pyjet përreth.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende shkakun e zjarrit, ndërsa hetimet pritet të nisin pasi situata të vihet plotësisht nën kontroll.