Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje fermerëve që mbajnë derra të rrisin kujdesin dhe të zbatojnë masat e biosigurisë, pas përhapjes së Mortajës Afrikane të Derrave (ASF) në vendet e rajonit.
Sipas AUV-së, deri më tani kjo sëmundje nuk është konfirmuar në Republikën e Kosovës, por rreziku i përhapjes mbetet i lartë për shkak të situatës së rënduar epidemiologjike në rajon.
“Duke marrë parasysh situatën e rënduar epidemiologjike në vendet e rajonit, ku janë konfirmuar shpërthime të Mortajës Afrikane të Derrave (ASF), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë derra të tregojnë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë në fermat e tyre”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
AUV ka kërkuar nga fermerët që të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të panevojshme në fermat e tyre, të dezinfektojnë rregullisht hyrjet, pajisjet, automjetet dhe këpucët para hyrjes në objektet ku mbahen derrat.
Po ashtu, fermerëve u është bërë thirrje që të shmangin kontaktin e derrave shtëpiakë me derrat e egër, të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e kafshëve dhe të blejnë derra vetëm nga ferma të regjistruara me dokumentacion veterinar.
AUV ka kërkuar që çdo rast i dyshimtë të raportohet menjëherë te veterineri ose te zyrat rajonale të Agjencisë.
“Fermerët duhet të njoftojnë menjëherë veterinerin ose Zyrën Rajonale të AUV-së nëse vërejnë ngordhje të papritura, temperaturë të lartë, mungesë oreksi, dobësi apo shenja të tjera të pazakonshme tek derrat”, thuhet në njoftim.
Sipas Agjencisë, Mortaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e tyre, por mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike për shkak të përhapjes së shpejtë te derrat.
“Ajo është një sëmundje që përhapet me shpejtësi tek derrat nëse nuk respektohen masat e biosigurisë”, ka theksuar AUV.
Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës epidemiologjike dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë.