Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të mbajë sot mbledhjen e 371-të, në të cilën pritet të shqyrtohet edhe çështja e kërkesave të gjyqtarëve nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Mbledhja do të zhvillohet në Sallën e takimeve të KGJK-së në Prishtinë, ndërsa në rend dite janë gjithsej 16 pika. Në pikën e nëntë është paraparë diskutimi lidhur me kërkesën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për bojkotimin e institucioneve.
Mbledhja e sotme zhvillohet një ditë pas kur Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga çdo formë presioni ndaj KGJK-së dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes për këtë çështje.
Në reagimin e saj, Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Kosovë.
“BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes. Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e BE-së.
Ky reagim vjen ndërsa KGJK-ja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me kërkesat e disa gjyqtarëve serbë që kanë kërkuar rikthimin në sistemin e drejtësisë pas dorëheqjeve kolektive të vitit 2022.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur tashmë për çështjen e prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje, duke mos i miratuar kërkesat e tyre për rikthim. Ky vendim është formalizuar më pas edhe nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
