Policia e Kosoves ka njoftuar se një person është arrestuar në Zveçan nën dyshimin për dy raste të vjedhjeve.
Sipas Policisë, rastet ishin raportuar të premten, njëri në një barnatore e tjetri në një restorant.
“Rasti i parë është raportuar në një barnatore në rrugën “Buba Mihajloviq”, ku është raportuar vjedhja e 220 eurove nga arka, pasi i dyshuari kishte shfrytëzuar mungesën e pronarit të barnatores në ato momente. Rasti i dytë është raportuar në një restorant në Zveçan, ku është raportuar vjedhja e një çante me dokumente personale dhe 937 euro”, thuhet në njoftim.
Pas veprimeve intensive hetimore dhe operative, bëhet e ditur se është arritur deri te identifikimi i personit të dyshuar, B.M. (1992), i cili është arrestuar të shtunën në qytetin e Mitrovicës së Veriut.
“Të njëjtit i është gjetur edhe shuma e të hollave, për të cilën dyshohet se është vjedhur në rastet e lartcekura. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastet janë duke vazhduar”, njofton Policia.