Evropa ka pasur gjithmonë zjarre pyjore, por ato po bëhen gjithnjë e më ekstreme ndërsa kriza klimatike po e shtrëngon ndikimin e saj.
Zjarrfikësit në Francë dhe Spanjë po përpiqen aktualisht të vënë nën kontroll vatra zjarri më të egra dhe më të paparashikueshme se ato me të cilat janë përballur më parë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Kemi hyrë në një epokë zjarresh që nuk mund të shuhen”, tha Víctor Resco de Dios, ligjërues i inxhinierisë pyjore dhe ndryshimeve globale në Universitetin e Lleida-s në Spanjë.
“Këto janë zjarre që digjen me intensitetin e disa bombave atomike.”
Zjarret që po përhapen në Francë janë më të rëndat e regjistruara ndonjëherë në vend dhe kanë djegur me një intensitet aq të madh sa kanë krijuar erën dhe rrufetë e tyre, duke u shndërruar në stuhi zjarri që ushqehen vetë dhe janë të çrregullta e të paparashikueshme.
Ky fenomen është dokumentuar më parë në Australi, Kanada dhe SHBA, por ishte i paprecedentë për Francën.
Në Spanjë, një zjarr në perëndim të Madridit është cilësuar nga autoritetet si më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend. Mbi 300,000 persona janë evakuuar në të dy shtetet.
Ekspertët thonë se shuarja e plotë e zjarreve të kësaj përmase është pothuajse e pamundur derisa të mbarojë materiali djegës ose të mbërrijnë reshje të vazhdueshme shiu.
Shkencëtarët paralajmërojnë se në të ardhmen duhet të presim zjarre pyjore edhe më të shpeshta dhe më të rënda, për sa kohë njerëzit vazhdojnë të djegin lëndë djegëse fosile dhe të rrisin temperaturat globale.
“Është e vështirë të parashikohet deri ku mund të shkojnë gjërat”, tha Resco de Dios.
“Së shpejti nuk do të mund të përjashtojmë më skenarë danteskë si ata që janë parë në Kaliforni apo Australi, me zjarre ose komplekse zjarresh që arrijnë qindra mijëra hektarë apo edhe një milion hektarë.”