Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka miratuar një vendim politik në Kuvendin e mbajtur të enjten, duke përcaktuar si prioritet angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në vendimin e miratuar nga delegatët, thuhet se orientimi parësor politik i LDK-së do të jetë kontributi për tejkalimin e krizës institucionale dhe sigurimin e stabilitetit politik në vend.
“Kuvendi përcakton si orientim parësor politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale”, thuhet në vendim.
Dokumenti obligon kryetarin e partisë, Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm dhe Grupin Parlamentar që, brenda kompetencave statutare dhe kushtetuese, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij orientimi politik.
Sipas vendimit, veprimi politik i LDK-së duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetformuese, ruajtja e balancës demokratike dhe krijimi i stabilitetit politik e institucional, me synim avancimin e objektivave euroatlantike të Kosovës.
Po ashtu, theksohet se çdo angazhim i LDK-së në proceset institucionale duhet të jetë në përputhje me interesin shtetëror, orientimin euroatlantik, programin politik dhe vendimet e organeve kompetente të partisë.
Vendimi parasheh edhe detyrimin për respektimin e vendimeve të shumicës nga të gjithë anëtarët dhe zyrtarët e LDK-së.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë”, thuhet në dokument.
Në të njëjtin vendim theksohet se debati dhe mendimi ndryshe janë të garantuara brenda organeve statutare, por pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kontestimi publik ose veprimi në kundërshtim me vendimet e shumicës konsiderohet cenim i unitetit institucional dhe i rregullit partiak.
Gjithashtu, theksohet se asnjë zyrtar apo strukturë e LDK-së nuk mund të veprojë publikisht në emër të partisë në kundërshtim me qëndrimet dhe vendimet e organeve të saj, ndërsa organet përkatëse obligohen të ndërmarrin masa statutare ndaj shkelësve kur është e nevojshme.
Vendimi u miratua në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, ku Lumir Abdixhiku u rikonfirmua në krye të partisë. Në votim, 170 delegatë mbështetën vazhdimin e mandatit të tij, ndërsa 152 votuan për shkarkimin. Nisma për largimin e Abdixhikut ishte iniciuar pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja u rendit sërish si forca e tretë politike.