Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të takohen nesër në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.
Takimi është konfirmuar për ne ora 18:00, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa per TV Dukagjini.
“Po, nesër në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.
Takimi vjen pas ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, drejtuar kryetarëve të partive politike për të diskutuar për tejkalimin e ngërçit institucional.
Abdixhiku ka pranuar ftesën për takim, ndërsa liderët e dy partive të tjera opozitare nuk do të marrin pjesë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim.