Një zyrtar policor është sulmuar në orët e para të së hënës në Lipjan nga një person me shtetësi të huaj, i cili, sipas Policisë së Kosovës, ndodhej në gjendje të dehur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:45, teksa zyrtari policor ishte në kryerje të detyrës zyrtare. Sipas raportit policor, i dyshuari ka sulmuar policin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra është dërguar për trajtim mjekësor.
“Raportohet se i dyshuari mashkull me shtetësi të huaj, në gjendje të dehur, ka sulmuar zyrtarin policor që ishte në detyrë. Zyrtari policor është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia njofton se edhe i dyshuari, për shkak të gjendjes së dehur, është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave fillestare, i dyshuari është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.