Tre persona janë arrestuar në Dragash nën dyshimin për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi u kapën në flagrancë brenda një fabrike që aktualisht nuk është në funksion.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 21:12, kur Stacioni Policor në Dragash, pas një informacioni të pranuar nga shefi i hetuesisë, ka reaguar ndaj një vjedhjeje që ishte duke u zhvilluar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e policisë së Dragashit, të mbështetura edhe nga patrulla kufitare.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 22:30 është arrestuar i dyshuari i parë brenda objektit të fabrikës, ndërsa rreth orës 22:45 janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjes, përfshirë dorëza, një fleks, bateri, një sharrë metalike, si dhe një automjet që i përkiste njërit prej të dyshuarve.
Përveç hetuesve të Stacionit Policor në Dragash, në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Prizreni për zhvillimin e procedurave të mëtejshme.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit – meshkuj të moshës 38, 37 dhe 36 vjeç – janë ndaluar për 48 orë.