Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, me qëllim të parandalimit të rasteve të vjedhjeve nga automjetet.
“Rastet e vjedhjeve nga automjetet ndodhin për shkak se në brendësi të tyre lihen sende me vlerë në vende të dukshme, duke u krijuar mundësi personave keqbërës të dëmtojnë automjetin dhe të përvetësojnë këto sende”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos lënë çanta, portofola, telefona celularë, llaptopë, tableta, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë në vende të dukshme brenda automjetit.
“Para largimit nga automjeti sigurohuni se dyert janë të kyçura dhe dritaret janë të mbyllura plotësisht”, apelon Policia.
Tutje, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë në parandalimin e rasteve të tilla.
“Në rast se vëreni persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve apo në parkingje, njoftoni menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’”, thuhet në fund të njoftimit.