Të paktën 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e një vale sulmesh ruse në disa rajone të Ukrainës gjatë orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale ukrainase.
Në portin e Odesës, një person vdiq pas një sulmi ndaj një anijeje që transportonte grurë ukrainas në Detin e Zi.
Zyrtarët lokalë thanë se sulmi goditi mjetin lundrues ndërsa ai ishte i angazhuar në transportin e mallrave bujqësore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në rajonin e Kharkivit, dy persona u vranë pas një sulmi rus ndaj një stacioni treni. Po ashtu, tre persona të tjerë humbën jetën në një sulm të veçantë në qytetin Balakliya.
Një viktimë u raportua edhe në Pavlohrad, ku depot e kompanive logjistike vazhdojnë të jenë të përfshira nga zjarri pas goditjeve.
Ndërkohë, në rajonin e Dnipropetrovskut, guvernatori lokal njoftoi se tre persona u vranë në një sulm tjetër në qytetin Kamianske.
Autoritetet ukrainase po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe numri i viktimave mund të ndryshojë, ndërsa sulmet ruse në pjesë të ndryshme të vendit vazhdojnë të shkaktojnë pasoja të rënda në infrastrukturë dhe në popullsinë civile.