Udhëheqësi ushtarak i Birmanisë, Min Aung Hlaing, ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tajlandë të enjten, të parën që nga grushtshteti me të cilin rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyit në vitin 2021.
Grushtshteti ndezi një luftë civile që ka marrë mijëra jetë njerëzish dhe ka shkatërruar ekonominë e vendit.
Min Aung Hlaing, i cili tashmë ishte nën sanksione për shkak të rolit të tij në dëbimin masiv të myslimanëve Rohingya në vitin 2017, është konsideruar një figurë e izoluar në arenën ndërkombëtare.
Atij i është ndaluar hyrja në vendet perëndimore dhe është akuzuar për krime kundër njerëzimit.
Ai u shpall president në muajin prill dhe u largua nga posti i komandantit të ushtrisë pas zgjedhjeve, të cilat u dënuan gjerësisht si jo të lira dhe jo të ndershme.
Partive kryesore opozitare iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje, ndërsa në zona të mëdha të Birmanisë, të kontrolluara nga grupet e armatosura kryengritëse, nuk u zhvillua fare votim. Kjo bëri që partia e mbështetur nga ushtria të dominojë parlamentin e ri.
Min Aung Hlaing gjithashtu është përjashtuar nga pjesëmarrja në takimet e ASEAN-it (Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore), për shkak të refuzimit të tij për të zbatuar konsensusin me pesë pika, të cilin ai dhe shtetet e tjera anëtare të ASEAN-it e nënshkruan në vitin 2021. Ky plan parashikonte uljen e dhunës nga ushtria e Birmanisë dhe nisjen e negociatave me grupet opozitare.
Disa vende anëtare të ASEAN-it, veçanërisht Indonezia, Malajzia, Filipinet dhe Singapori, kërkojnë që ushtria e Birmanisë të bëjë më shumë lëshime për të zbutur krizën humanitare dhe për t’i dhënë fund luftës civile, përpara se të rivendosen plotësisht marrëdhëniet diplomatike.
Megjithatë, Tajlanda po ndjek atë që e quan një “riangazhim të kalibruar” me regjimin e Birmanisë duke argumentuar se, për shkak se të dy vendet ndajnë një kufi prej 2,400 kilometrash, është e domosdoshme që qeveritë të komunikojnë në nivelet më të larta për të trajtuar çështje si krimi ndërkufitar.
Ky angazhim diplomatik i Tajlandës po përparon me shpejtësi këtë javë. Min Aung Hlaing po pritet me nderime të plota shtetërore nga kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul.
Ai do të marrë pjesë në një darkë zyrtare, do të takohet me drejtuesit e të dy dhomave të parlamentit tajlandez dhe do të kryesojë një forum biznesi Tajlandë – Birmani, me synimin për të forcuar lidhjet ekonomike mes dy vendeve.
E gjithë kjo krijon përshtypjen se marrëdhëniet mes dy vendeve po vazhdojnë si zakonisht, pavarësisht izolimit ndërkombëtar të udhëheqësit ushtarak të Birmanisë.