Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar shumicën parlamentare për shpërfillje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të afatit kushtetues.
Çitaku thotë se megjithëse sot është hapur salla e Kuvendit, vendi vazhdon të mbetet i bllokuar institucionalisht, njofton Dukagjini.
“Mbrëmë i vunë drynin Kuvendit. Sot e hapën sallën, por vazhduan ta mbajnë të mbyllur Republikën”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është shpërfillur, pasi kandidati për kryetar të Kuvendit nuk është propozuar sërish.
“Kjo nuk është më bllokadë politike. Kjo është rrëshqitje drejt anarkisë kushtetuese”, ka theksuar Çitaku.
Ajo shtoi se Kosova nuk mund të qeveriset me dry dhe as mbi Kushtetutën.