Pas incidentit të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar edhe këshilltari i tij, Hysamedin Feraj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Feraj ka komentuar veprimin e deputetes së AAK-së, duke iu referuar edhe të kaluarës së saj dhe duke ngritur akuza lidhur me raportet e saj të mëvonshme politike.
“Gati e kishim harruar se Time Kadriaj ka qenë në UÇK-në, ndoshta sepse me vite të tëra ka bashkëpunuar me kriminelin e luftës Milan Radoiçiç”, ka shkruar Feraj.
Në reagimin e tij, këshilltari i Kurtit ka lidhur pretendimet e tij me zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, duke bërë krahasime mes qeverive të kaluara dhe ekzekutivit të udhëhequr nga Kurti.
Sipas Ferajt, Milan Radoiçiç kishte pasur ndikim të konsiderueshëm në veri të Kosovës në periudhat e mëparshme, ndërsa Qeveria Kurti kishte ndërmarrë veprime ndaj tij, përfshirë ndjekjen penale dhe shpalljen në kërkim.
Feraj e ka përmbyllur reagimin e tij me një pyetje drejtuar në mënyrë indirekte deputetes Kadriaj.
“E tani cilën veprimtari të Timës ta kujtojmë, atë që zgjati pak apo atë që po e zgjat shumë?”, ka shkruar ai.
Reagimi i Ferajt vjen pas përplasjes së fundit në Kuvend, e cila ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të partive politike.