Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar në Facebook pamjet e largimit të banderolës me mbishkrimin “Free Ukraine” nga bjekti i Hotel Grand, pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd që Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Rama, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të respektohet, duke theksuar se kryeqyteti do të reagojë sa herë që Kosova nuk trajtohet si shtet.
Ai tutje ka thënë se Prishtina do të vazhdojë të tregojë empati dhe solidaritet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, ka shkruar ai.
Rama ka theksuar se qytetarët e Kosovës e dinë mirë se çfarë do të thotë lufta për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, ka shkruar ai.
Rama ka shtuar se mbështetja për kauza të ndryshme nuk mund të bëhet në dëm të respektimit të shtetësisë së Kosovës.
“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka përfunduar Rama.
