Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur të dielën kundërshtimin e tij ndaj planit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, duke theksuar se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga territori palestinez pa u çarmatosur Hamasi.
Duke folur në një mbledhje me ministrat e qeverisë së tij të krahut të djathtë, Netanyahu tha se Izraeli nuk e pranon dokumentin 15-pikësh të propozuar nga Trump.
“Ushtria nuk do të kryejë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset”, tha Netanyahu, duke shtuar se bëhet fjalë për çarmatim të plotë, përfshirë armët e rënda dhe të lehta.
“Po flasim për çarmatim të vërtetë, jo për një çarmatim fiktiv”, deklaroi ai.
Trump kishte njoftuar muajin e kaluar se ishte arritur një përparim në planin për përfundimin e luftës në Gaza. Sipas planit, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga territori ndërsa Hamasi do të çarmatoshej, ndërsa një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze, do të garantonte sigurinë në Gaza.
Megjithatë, Izraeli dhe Hamasi kanë mbetur të ndarë për mënyrën dhe kohën e zbatimit të marrëveshjes.
Izraeli këmbëngul se trupat e tij nuk do të tërhiqen para se Hamasi të dorëzojë armët, ndërsa Hamasi kërkon që Izraeli fillimisht të ndalojë sulmet dhe më pas të nisë zbatimin e pjesës së marrëveshjes që lidhet me çarmatimin.
Netanyahu tha se Izraeli është në bisedime me Shtetet e Bashkuara për planin e Trumpit, por shtoi se disa nga propozimet amerikane janë të pranueshme për Izraelin, ndërsa të tjera jo.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka reduktuar ndjeshëm sulmet në Gaza nën presionin e presidentit amerikan. Sipas një burimi të njohur me qëndrimin e Izraelit, ushtria është pajtuar që të ndërhyjë vetëm ndaj kërcënimeve që i konsideron të menjëhershme dhe të mos kryejë më vrasje të shënjestruara, siç kishte bërë pothuajse çdo ditë.
Netanyahu ndodhet gjithashtu në fushatë për zgjedhjet e ardhshme në Izrael, të planifikuara për 27 tetor, duke u përballur me presion nga ministrat e ekstremit të djathtë, të cilët kundërshtojnë çdo lëshim në Gaza, dhe nga Trumpi, i cili kërkon përparim drejt përfundimit të konfliktit.