Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i ka thënë se ky hap po ndërmerret në kuadër të optimizimit të pozicionimit të trupave të tij, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e misionit.
Sipas KFOR-it, procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të varet nga kushtet e sigurisë.
Ky proces, siç është bërë e ditur, po koordinohet me aktorët relevantë, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
KFOR-i ka bërë të ditur se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.
Megjithatë, misioni i NATO-s ka siguruar se do të vazhdojë të ketë kapacitete për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm.
“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Tërheqja graduale e pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura është kundërshtuar nga Lista Serbe.
Njoftimi për tranzicionin e pranisë së KFOR-it nga ura e Ibrit vjen në të njëjtën ditë kur misioni i NATO-s bëri të ditur edhe nisjen e integrimit gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
KFOR-i nis integrimin gradual të Policisë në sigurinë e Manastirit të Deçanit