Një përleshje mes gjashtë personave është raportuar në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje. Rasti, sipas Policisë së Kosovës, është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht 2026, rreth orës 00:10. Sipas Policisë, në përleshje janë përfshirë pesë meshkuj kosovarë dhe një shtetas i huaj.
“Raportohet se pas një mosmarrëveshje ka ardhur deri te rrahja në mes gjashtë personave, ku të dyshuar janë pesë meshkuj kosovarë dhe një shtetas i huaj”, thuhet në raportin policor.
Tre nga të dyshuarit kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa njëri prej tyre është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë rastit, Policia ka sekuestruar edhe një kaçavidë.
“Një kaçavidë është sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë intervistuar dhe janë dërguar në mbajtje. Ndërkohë, i dyshuari që po trajtohet në QKUK nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“Me vendim të prokurorit pesë të dyshuar janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari që gjendet në QKUK nuk është intervistuar për arsye të gjendjes shëndetësore”, thuhet në raportin policor.