AVONET dhe 13 organizata të tjera kërkojnë nga Kushtetuesja të vlerësojë konstituimin e Kuvendit

AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25, në kuadër të procesit të konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Në deklaratën për media, AVONET ka bërë të ditur se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026”, thuhet në deklaratë.

AVONET ka rikujtuar se në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues.

“Në këtë afat duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit. Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar”, thuhet në deklaratë.

Sipas AVONET-it, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

“Për këtë arsye, AVONET dhe organizatat e tjera nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar”, thuhet më tej.

Kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës.

“Organizatat kanë kërkuar që, nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e Aktvendimit për moszbatim, gjegjësisht për mospërmbarim dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë që i konsideron të nevojshëm”, thuhet në deklaratë.

AVONET ka vlerësuar se kjo çështje ka rëndësi të veçantë për qytetarët, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të zgjedhura dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për institucionet dhe garanton që proceset politike dhe institucionale të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe rendi juridik”, thuhet në deklaratë.

Në fund, AVONET ka theksuar se kërkesa synon që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me rendin juridik.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon deklarata.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika