Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është bërë pjesë e debatit, pasi partitë politike kanë interpretime të ndryshme për momentin nga i cili duhet të fillojë numërimi i këtij afati.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë ka deklaruar se, sipas interpretimit të saj, 30 ditët duhet të llogariten nga momenti i thirrjes së seancës konstituive deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“30 ditë kemi nga momenti kur është thirr seanca konstituive. Brenda këtyre 30 ditëve shumë, shpresoj që do ta gjejmë një zgjidhje. Sepse në fund të fundit e kemi obligim. Interpretimi i ynë është që nga thirrja e seancës deri në konstituim të Kuvendit janë 30 ditë… kështu që deri më 6 shtator”, ka deklaruar Gërvalla.
Në rastin konkret, data e certifikimit të rezultateve dhe data e fillimit të seancës konstituive kanë krijuar një përplasje të re në interpretimin e afatit.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit janë certifikuar më 8 korrik.
Sipas këtij kalkulimi, afati 30-ditor kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht.
Në anën tjetër, seanca konstituive është hapur më 6 gusht, një ditë para përfundimit të këtij afati. Megjithatë, Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, duke lënë procesin të papërfunduar.
Vazhdimi i seancës është caktuar më pas për 8 gusht, pra në një kohë kur, sipas interpretimit që afati nis nga certifikimi i rezultateve, 30-ditëshi tashmë kishte përfunduar.