Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me postimet në rrjetet sociale, përmes të cilave dyshohet se është kërcënuar një zyrtar policor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP) që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Në kuadër të hetimeve, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të sigurojë dhe administrojë pamjet nga kamerat e sigurisë në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pamjet do të përdoren për mbledhjen dhe sigurimin e provave relevante lidhur me rastin.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, si dhe sigurimin e provave të nevojshme, në përputhje me kompetencat dhe dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.