Pamjet e mijëra migrantëve që arritën në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën Veriore në fund të korrikut tronditën Bashkimin Evropian, i cili tashmë kishte nisur pushimet verore njëmujore, duke e vënë atë në lëvizje.
Ambasadorët e BE-së u kthyen nga pushimet për një takim online më 3 gusht, për t’u përgatitur për një tjetër takim online të 27 ministrave të Brendshëm të bllokut, një ditë më vonë.
Deri atëherë, kriza ishte shmangur në masë të madhe, pasi Spanja, e cila fillimisht ishte kritikuar ashpër nga shtetet e tjera anëtare, kishte thirrur përforcime dhe tha se kishte kthyer mbrapsht tashmë rreth 70.000 nga 72.000 personat që kishin hyrë në Ceuta. Gati 90 persona vdiqën në kaosin që përfshiu rojen bregdetare spanjolle.
Mendohet se asnjë prej migrantëve nuk arriti në Evropën kontinentale. Ndërsa Ceuta, së bashku me enklavën tjetër spanjolle, Melilla, janë zyrtarisht pjesë e zonës pa pasaporta Shengen të BE-së, të dyja kanë rregulla të veçanta që përcaktojnë se kontrollet e identitetit duhet të kryhen kur udhëtohet prej tyre drejt destinacioneve në Evropën kontinentale. Kjo e bën pothuajse të pamundur hipjen në tragetet që kalojnë ngushticën e Gjibraltarit.
Rrjeti i trafikimit
Atëherë, çfarë apo kush qëndronte pas fluksit të madh të migrantëve? Në deklaratën e tyre të përbashkët, të lëshuar pas takimit të fillimit të gushtit, ministrat e Brendshëm të bllokut fajësuan “rrjetet e trafikimit të migrantëve” dhe lanë të kuptohej gjithashtu se BE-ja duhet të përmirësojë “ndërgjegjësimin e përbashkët për situatën, gjë që mund të arrihet përmes zhvillimit të mëtejshëm të sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si inteligjenca para mbërritjes në kufi dhe monitorimi i rrjeteve sociale”. Para se migrantët të fillonin të mbërrinin në Ceuta, në internet u përhapën thashetheme se Spanja do t’i priste njerëzit krahëhapur./Radio Evropa e Lire
Dhjetëra të vdekur gjatë tentimit për të hyrë nga Maroku në Spanjë
Në kërkim të një shkaku, disa politikanë evropianë vunë në pah si vendimin e Madridit për të rregulluar statusin e migrantëve, ashtu edhe një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës. E para, skema për legalizimin e statusit, megjithatë, u drejtohej kryesisht migrantëve latino-amerikanë që punojnë në Spanjë dhe zbatohej për personat që mund të dëshmonin se kishin banuar në vend për pesë muaj rresht para fillimit të këtij viti.
Shkaku i dytë i sugjeruar për fluksin ishte një vendim shumë teknik i gjykatës, i marrë në fillim të korrikut, i cili përcaktoi se procedura e kthimit të menjëhershëm të migrantëve nga Madridi nuk zbatohej për personat e ndaluar teksa përpiqeshin të notonin nga territori i Marokut drejt Ceutës dhe Melillës. Sipas vendimit, kjo procedurë zbatohej vetëm nëse migrantët kalonin një barrierë fizike, që do të thoshte se ata që përpiqeshin të hynin duke notuar do t’i nënshtroheshin një procesi ligjor shumë më të ngadaltë, në vend që të ktheheshin menjëherë. Megjithatë, vendimi i gjykatës mezi u bë lajm në Spanjë kur u dha më 8 korrik.
Dora e Marokut?
Atëherë, cili ishte faktori që i tërhoqi migrantët? Ndërsa rrjetet e trafikimit duket se janë përgjigjja zyrtare e preferuar në Bruksel, disa zyrtarë evropianë kanë ngritur, të paktën privatisht, pikëpyetje për rolin e Marokut në këtë proces. (Ata gjithashtu nxitojnë të theksojnë se Spanja thotë hapur dhe në mënyrë të përsëritur, si publikisht ashtu edhe në biseda me dyer të mbyllura, se Rabati nuk ka të bëjë me këtë dhe se vendi ka qenë shumë ndihmues sa i përket kthimit të migrantëve).
Marrëdhënia mes Marokut dhe Spanjës është e ndjeshme. Në vitin 2021, Maroku lejoi rreth 8.000 migrantë të arrinin në dy enklavat spanjolle, pasi Madridi lejoi që udhëheqësi i një lëvizjeje për pavarësinë e Saharasë Perëndimore të merrte trajtim mjekësor në Spanjë. Sahara Perëndimore ishte pjesë e Spanjës deri në vitin 1975, por Maroku pretendon sovranitet mbi territorin dhe de facto kontrollon pjesën më të madhe të tij. Ndërsa Madridi më parë mbante qëndrimin se statusi i territorit duhej të përcaktohej përmes një referendumi të sponsorizuar nga OKB-ja, pas krizës së migrantëve të vitit 2021, Spanja ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se Sahara Perëndimore duhet të jetë një territor autonom nën kontrollin e Rabatit.
Disa vëzhgues kanë thënë se Maroku e kundërshtoi vendimin e Spanjës në fillim të korrikut për të përmirësuar marrëdhëniet politike me Algjerinë – një prej rivalëve kryesorë rajonalë të Rabatit, që mbështet pavarësinë e Saharasë Perëndimore.
Me Spanjën – dhe rrjedhimisht BE-në – që ngurron të drejtojë gishtin nga Maroku, deklarata e përbashkët e ministrave të Brendshëm përfundoi me një shënim intrigues: “Komunikimi gjatë momenteve të krizës mund të forcohet më tej përmes koordinimit në kohë dhe duhet të jetë më koherent, veçanërisht për të kundërshtuar aktorët e jashtëm keqdashës të angazhuar në manipulim dhe ndërhyrje të huaja në informacion.”
Skenari i Bjellorusisë
Por, kush mund të jenë këta “aktorë të jashtëm keqdashës”? Një zgjedhje e qartë në Bruksel është Rusia, e cila ka një histori të nxitjes së migrantëve drejt kufijve të BE-së. Kriza në Ceuta kishte disa ngjashmëri me përpjekjen e Bjellorusisë dhe Rusisë, kryesisht gjatë viteve 2021-2022, për të shtyrë mijëra njerëz, kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Siria, drejt Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. (Ky fluks i tentuar vazhdon edhe sot, me Letoninë që së fundmi u detyrua të mbyllte përkohësisht kufirin me Bjellorusinë pas një rritjeje të tentativave për kalim të kufirit).
Në atë kohë, Brukseli nxitoi të drejtonte gishtin nga regjimi i Aleksandr Lukashenkos dhe mbështetja e Kremlinit për të, si në aspektin logjistik, ashtu edhe përmes manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI). Kornizat e sanksioneve u zgjeruan për të përfshirë aktet e “instrumentalizimit të migrantëve”, ndërsa ndalimet e vizave dhe ngrirja e aseteve u vendosën ndaj zyrtarëve që lehtësonin rrugët e migrantëve drejt kufijve të BE-së, operatorëve turistikë dhe hoteleve që ishin përdorur gjatë udhëtimit, madje edhe ndaj Belavia-s, kompanisë kombëtare ajrore të Bjellorusisë, për transportimin e njerëzve fillimisht drejt Bjellorusisë.
Përpjekje të vazhdueshme në kufirin e Polonisë për t’i zmbrapsur migrantët që nis Bjellorusia
Situata në Ceuta, megjithatë, duket ndryshe. Zyrtarë të BE-së që janë në dijeni për të dyja incidentet, atë në Ceuta dhe atë në Bjellorusi, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se rasti i dytë ishte një operacion kompleks hibrid i nxitur nga Moska dhe Minsku, i cili ishte afatgjatë dhe qartësisht politik.
Sipas zyrtarëve të BE-së, ajo që ndodhi në Ceuta duket se ishte shumë më e papritur dhe spontane. Dhe, ndërsa zyrtarët e BE-së thonë se nuk shohin prova se Rusia e nxiti fluksin, Moska e ka shfrytëzuar atë online, duke synuar audienca të ndryshme në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Diplomatët e BE-së që ndjekin manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion nga Rusia i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se “gjurmët digjitale” të Moskës ishin qartësisht të pranishme në incidentin e Ceutës. Ata përshkruan një operacion të ashtuquajtur “portal combat”, në të cilin faqe të ndryshme të Pravda-s ruse, në gjuhë të ndryshme dhe me llogari të lidhura në Telegram, amplifikuan raportime alarmiste për fluksin e migrantëve.
Narrativa e mediave ruse preku tema të njohura dhe të konsumuara: se Perëndimi po dështonte, pjesërisht për shkak të elitave evropiane të paafta; se migrantët ishin pushtues dhe okupatorë; dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli qëndronin pas incidentit për të ndëshkuar qeverinë e majtë të Spanjës për mbështetjen e saj ndaj Palestinës. Këto narrativa promovohen rregullisht edhe nga populistë të ndryshëm të së djathtës ekstreme në Evropë, disa prej të cilëve kanë lidhje të drejtpërdrejta politike me Kremlinin.
Sukses i kufizuar… përveç përçarjes së BE-së
Ndërsa diplomatët e BE-së me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thanë se përpjekja e Rusisë për manipulim ishte e konsiderueshme, ata gjithashtu vunë në pikëpyetje se sa ndikim kishte pasur në të vërtetë. Në fakt, pasoja kryesore mund të ketë qenë shkaktimi i më shumë përçarjeve brenda BE-së, pasi shumë shtete anëtare dukeshin sikur po sulmonin Spanjën.
Italia, qeveria e krahut të djathtë e së cilës ka bërë luftën kundër imigracionit nga jashtë Evropës një prioritet qendror, pezulloi shpejt dhe përkohësisht lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën dhe ishte një prej nismëtarëve të një letre – të nënshkruar nga 21 shtete të tjera anëtare të BE-së (por, ç’është thelbësore, jo nga fqinjët e drejtpërdrejtë të Spanjës, Franca dhe Portugalia) – e cila mbante një qëndrim mjaft të ashpër ndaj Spanjës.
Në kohën kur ministrat e Brendshëm u takuan dhe Madridi e kishte situatën nën kontroll, blloku u rreshtua në mbështetje të Spanjës, ndërsa zyrtarë nga vendet që kishin qenë më parë kritike pranuan privatisht se reagimet e tyre fillestare kishin qenë tepër histerike dhe të përqendruara te audiencat vendase.
Dhe, pavarësisht se ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, e kritikoi publikisht Kremlinin, duket se diplomatët e BE-së nuk duan t’i japin Rusisë shumë merita. “Kremlini është i etur të marrë publicitet për marifetet e tij të ndryshme, gjë që mund ta zmadhojë rëndësinë e FIMI-t rus”, i tha Radios Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.