Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, i arrestuari është A.G., ndërsa veprimet hetimore ndaj tij janë zhvilluar gjatë disa muajve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare’”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimi është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për një periudhë disa mujore.
Bazuar në të dhënat dhe provat e mbledhura gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshim i arsyeshëm për përfshirjen e gjyqtarit në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit.