Sabri Novosella, në emisionin “Dosje” të RTV Dukagjinit, të udhëhequr nga Ermal Panduri, ka rrëfyer se si e kishte përjetuar lajmin për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.
I pyetur nga Panduri se kur e kishte marrë lajmin për vrasjen e tyre, Novosella ka thënë se për këtë kishte mësuar të nesërmen.
“Të nesërmen u dhanë lajmet”, ka thënë Novosella.
Ai ka treguar se vrasjen e Jusuf Gërvallës e kishte përjetuar jashtëzakonisht rëndë, duke thënë se do të kishte preferuar të ishte vrarë vetë në vend të tij.
“E përjetova. A ta them me sinqeritetin më të madh? Më mirë të isha vra unë se Jusufi. Pse unë e kisha kaluar një jetë, e ai ishte intelektual, ishte çlirimtar”, ka deklaruar Novosella.
Duke folur për Gërvallën, Novosella ka vlerësuar lart edhe shkrimet e tij, ndërsa ka treguar se çfarë i kishte thënë atij gjatë kohës kur bashkëpunonin.
“Ato shkrime që i shkruante Jusufi, për besë i pata pasë thënë: ‘Jusuf, të kesh kujdes, se unë jam i ri e mos po më rritet mendja’. Është një thënie ashtu. Jusufi ka qenë i mrekullueshëm”, ka thënë ai.
Novosella më pas ka rrëfyer versionin e tij për rrethanat që i paraprinë vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Ai ka kujtuar se Kadri Zeka ishte martuar pak kohë para vrasjes, ndërsa Panduri ka saktësuar se kjo kishte ndodhur 15 ditë më herët.
Sipas Novosellës, derisa Zeka ndodhej te Jusuf Gërvalla, ai kishte dashur ta telefononte bashkëshorten pasi ishte vonuar dhe nuk mund të kthehej.
“Dhe kur vjen te Jusufi, ai i kishte thënë shoqes ‘kthehna’, dhe vonohet e nuk mundet me u kthy. Thotë: ‘Po dal një telefon po ia bëj’, se telefona nuk ka pasë atëherë, në rrugë, nëpër kabina”, ka rrëfyer Novosella.
Sipas tij, Bardhosh Gërvalla kishte vendosur ta shoqëronte Kadri Zekën për ta bërë telefonatën.
“Bardhoshi i thotë: ‘Po vi dhe unë’, shkojmë të dytë edhe me bo një bisedë me gruan”, ka thënë Novosella.
Ai ka treguar se më pas edhe Jusuf Gërvalla kishte vendosur të shkonte me ta.
“Çohen këta dy dhe thonë jo, nuk po iu lë me shku ju vetëm, dhe çohet edhe Jusufi. Shkojnë të tretë dhe dalin. Si të dalin, rojet ‘dang, dang, dang’ dhe e vranë”, ka rrëfyer Novosella.