Çiklisti britanik Finlay Tarling ka humbur jetën në moshën 19-vjeçare pas një aksidenti tragjik gjatë etapës së tetë të garës Volta a Portugal.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua të premten nga ekipi NSN Development Team, pjesë e të cilit Tarling ishte që nga viti i kaluar.
“Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të Finlay Tarling në Volta a Portugal sot”, thuhet në njoftimin e ekipit.
“Fin ishte një anëtar shumë i dashur i ekipit tonë, por mbi të gjitha ai ishte një bir, një vëlla dhe një mik për shumë njerëz. Ai do të na mungojë jashtëzakonisht shumë”, shtoi ekipi.
Tarling ishte një çiklist uellsian i specializuar në garat me kohëmatës dhe konsiderohej një talent premtues i çiklizmit britanik.
Sipas transmetuesit publik portugez RTP, aksidenti ndodhi pasi 19-vjeçari u përplas me një automjet që nuk ishte pjesë e garës dhe që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Organizatorët e Volta a Portugal dhe Federata Portugeze e Çiklizmit shprehën ngushëllime për familjen, bashkëlojtarët dhe miqtë e Tarlingut.
“Organizata e Volta a Portugal dhe Federata Portugeze e Çiklizmit shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së Finlay Tarling, shokëve të tij të ekipit, NSN Development Team dhe të gjithë miqve dhe të dashurve të tij”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Për vdekjen tragjike të çiklistit reagoi edhe presidenti i Portugalisë, António José Seguro, i cili shprehu ngushëllime dhe tha se tragjedia ka zhytur në zi garën dhe vendin pritës.