Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit A.G., i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.G., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, pasi ekziston rreziku që, nëse i pandehuri lihet në liri, mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
“Ekziston rreziku që i njëjti do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe natyrën e veprës penale për të cilën dyshohet A.G., mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, si dhe pozitën zyrtare të të pandehurit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.